Xhamia e Mehmed Pashës (Bajrakli Xhamia) gjendet në qendër të qytetit në kuadër të Zonës Historike dhe ka vlerë të veçantë kulturo-historike. Gazi Mehmed Pasha ndërtoi kompleksin me xhaminë, tyrben (mauzolen), medresenë, bibliotekën, ders-hanen (mësonjtoren) dhe objektet tjera përcjellëse gjatë viteve 1563-74. Në afërsi, në anën perëndimore, gjendet edhe Hamami i Mehmed Pashës. Kompleksi i xhamisë është i lidhur me Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nëpërmes portës që gjendet në anën lindore të oborrit. Mbi portën kryesore të xhamisë është vendosur epitafi në mermer në gjuhën arabe, me këtë përmbajtje: “Gazi Mehmed pasha përsëri ndërtoi një xhami. Nuk e bëri për nam të tij por e bëri për Allahun. Xhami prej argjendi në shehrin e Prizrenit. Shehrin e bëri xhenet. Duke ditur historinë thotë Shejh Aliu e ka bërë Allahu Qabën për të varfërit.” Edhe pse Mehmed Pasha ndërtoi tyrben në oborrin e xhamisë ai aty nuk u varros pasi që vdiq në betejë diku në Panoni (Hungari).

Projekti “Shiko Nga Lartë” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.