Konkatedrala “Zonja Ndihmëtare” gjendet në jugperëndim të qen- drës urbane, te Qafëpazari, në një sipërfaqe prej 2912 m2 (il. 114). Objektin, me elemente të arkitekturës greko-romake, e ndërtoi në vitin 1870 argjipeshkvi Dario Bucciarelli, ndërsa më vonë Toma Glasnoviq ngriti kambonarën dhe vëri orën. Shtyllat vertikale dhe ato transversale në brendi ishin prej drurit, sikur ballkoni dhe shkallët. Muret ishin mveshur me suva gëlqerore, ndërsa në qemerin e anijes së mesme ishin afresket me teknikë secco, me prezentim të motiveve qytetare. Kështu, në pikturën e Zonjës, te pjesa e altarit, prezentohen qytetarët e Prizrenit me veshjen karakteristike të kohës. Lidhur me pikturimin e mureve ekziston gojëdhëna se nga popullata janë grumbulluar mijëra vezë pule. Mbi çardak gjenden pikturat e dy personave nga e kaluara heroike e Ballkanit, e Gjergj Kastriotit, prijësit të Principatës shqiptare, dhe e Joannes de Hunyad-it, governator dhe kryekomandant i Hungarisë. Duke u dalluar nga të tjerat, këto dy piktura veçohen me vendosjen e tyre si buste në një hapësirë fiktive konkave, me ngjyra që kanë përbërje të thatë dhe pa fundament të sigurt. Autori i këtyre dy pikturave është piktori austriak Simcowiss, i cili i bëri pikturat në vitin 1878, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Projekti “Shiko Nga Lartë” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit